Trumpi kërcënon Kinën me tarifa të reja tregtare




Presidenti amerikan, Donald Trump, ka akuzuar të enjten Kinën për shkelje të marrëveshjes së arritur gjatë bisedimeve tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka premtuar të zbatojë tarifa shtesë ndaj mallrave kineze po që se nuk arrihet një ujdi e re gjatë bisedime të ardhshme.

Duke folur gjatë një tubimi në Florida, Trump ka thënë: “Meqë ra fjala, i shihni tarifat që po i zbatojmë?… Kjo është për shkak se ata e shkelën marrëveshjen. E shkelën ujdinë. Nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, andaj do ta paguajnë”. “Nëse nuk arrijmë marrëveshje, atëherë s’ka gjë nëse e ngremë tarifën në mbi 100 miliardë dollarë në vit – 100 miliardë, këtë kurrë më parë nuk e kemi bërë”, ka raportuar “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”.

Pekini zyrtar ka njoftuar se do të ndihet i shtrënguar që të zbatojë “kundërmasa të nevojshme”, në rast se të premten hyn në fuqi ngritja e re e tarifave. Autoritete kineze megjithatë nuk specifikuan se për çfarë kundërmasash bëhet fjalë. “Kina ndjen keqardhje të thellë por nëse masat tarifore të SHBA-së zbatohen, atëherë do të ndërmarrim kundërmasat e nevojshme”, ka njoftuar ministria kineze e Tregtisë.

Përplasja e minutës së fundit ka ndodhur pasi Washingtoni e publikoi një listë të produkteve të importuara që do të përballen, qysh nga e premtja, me norma të reja tarifore, dukshëm më të larta.