Thaçi: Dilni masovikisht në zgjedhje




Partia Demokratike Shqiptare mbrëmë ka mbajtur tubim me banorët e fshatit Zhitoshë të komunës së Dollnenit.

 

Kandidati i PDSh-së për kryetar komune në Dollnen, Eroll Abdiu, kërkoi daljen masovike të banorëve të këtij vendi në ditën e votimit, sepse PDSh, siç tha Abdiu, në strukturën e  saj partiake e ka shumë të fokusuar hallin e banorëve të Dolllnenit dhe është shumë e interesuar për përmirësimin e jetesës së banorëve të këtij vendi.

“Ua bëjmë me dije oponentëve tanë mos të mendojnë kot se PDSh nuk është e fokusuar strukturalisht, nuk është e fokusuar në komunën e Dollnenit. Unë nuk do të kritikoj asnjë nga kjo foltore. Por, do të kërkoj prej të  gjithëve që në mënyrë masovike të dilni në votime, të votoni kandidatin nga Zhitosha, kandidati i cili ju premton se nuk do t’u gënjejë”,- deklaroi kandidati i PDSH-së për Dollnenin, Eroll Abdiu.

Kreu i PDSh-së, Menduh Thaçi, para banorëve të Zhitozhës tha se PDSh e ka shumë të rëndësishme këtë komunë dhe kjo vërehet në numrin e pakonkurrent të vizitave që PDSh ia ka bërë Dollnenit, duke u premtuar mbështetje të plotë të gjitha komuniteteve. Fitorja e PDSh-së në Dollnen është shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, tha Thaçi.

Është e rëndësishme shumë për PDSh-në dhe për shqiptarët në përgjithësi, por në veçanti për shqiptarët e komunës së Dollnenit, që në zgjedhjet lokale të gjithë të kenë angazhim të jashtëzakonshëm dhe maksimal që të na mbështesin kandidaturën e zotit Eroll Abdiu. Mendoj se sinqerisht kjo do të ndodhë, megjithatë duam t’u apelojmë disa vëllezërve tanë, t’u themi shumë hapur se zgjedhjet lokale janë jashtëzakonisht të rëndësishme edhe për një aspekt tjetër. Partitë e maqedonasve nuk u duket boll që kanë uzurpuar pushtetin, që na e kanë marrë buxhetin, që na i kanë marrë të drejtat, por tash duan nëpërmjet një rezultati fiktiv të zgjedhjeve lokale edhe në territoret ku nuk janë ata shumicë, mundësisht t’i fitojnë edhe kryetarët e komunave dhe t’i shpallin si “Makedonski territori”. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Të nderuar vëllezër, ata kanë projektin, partitë maqedonase, që pas zgjedhjeve lokale të organizojnë regjistrimin e popullatës dhe mundësisht në këto territore që janë në skaje të territoreve të shqiptarëve t’i fitojnë kryetarët e komunave dhe të thonë këta janë territoret tona dhe ju jeni pakicë”,- u shpreh kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.

Bartësi i listës për këshilltar komunal, Orhan Asani, tha se pas 15 tetorit  kësaj radhe komuna e Dollnenit do të frymojë shqip. Sipas tij, të gjithë e dini gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Dollnen, gjendjen e nxënësve të cilët po përpiqen të mësojnë në kushte jashtëzakonisht të rënda, gjendjen e rinisë e cila vuan nga papunësia dhe ikjen e tyre jashtë vendit me shpresë për një mirëqenie më të mirë sociale, ekonomike etj. “Andaj, koha është të përmirësohen këto kushte duke ia dhënë votën PDSh-së në zgjedhjet lokale”,- tha bartësi i listës për këshilltar komunal, Asani.

PDSh në këtë komunë do të kujdeset për  çdo qytetar që të ndjejë   afërsinë me shërbimet komunale, do të kujdeset për ndërtimin e rrugëve,  për shkollat me standarde të larta dhe do të bëjë çmos për finalizimin e kanalizimit. Këto punë bëhen kur PDSh do të udhëheq qeverisjen lokale dhe kur do të marrë përkrahjen e qytetarëve, thanë folësit në tubimin e PDSh-së në fshatin Zhitozhë.




Be the first to comment

Leave a Reply