Tetova dhe Çairi barometër për më të “fortën” parti shqiptare në zgjedhjet lokale




Tetova dhe Çairi janë një barometër për partitë shqiptare sepse aty është i përqendruar trupi elektoral. Këtu pikërisht partitë e shohin forcën e vërtetë, thonë analistët për Zhurnal.mk

 

Analisti politik, Blerim Hyseni thotë se pozicionimi më i madh i partive shqiptare po bëhet në këto dy komuna, në Tetovë si qytet më i madh me popullsi shqiptare dhe Çairi si Komunë e vetme shqiptre në Qytetin e Shkupit.

“Tetova gjithashtu ka të bëjë edhe në një arsye tjetër se një kryetar i partisë garon për postin numër një të këtij qyteti i vetëdijshëm se humbja e tij do të përbënte edhe fundin e karieres së tij politike. Personalisht mendoj që duhet të ketë mënyrë tjetër të përllogaritjes së fituesit, pra përveç numrit të komunave edhe numri i votave në nivel të shtetit sepse shpesh ndodh që numri i votave të marra të jetë më i madh e të jesh humbës i postit të kryetarit. Pra numrimi i votave në nivel të shtetit jep pasqyrën e qartë për peshën e një partie politike”, thonë për Zhurnal, Blerim Hyseni, analist politik.

Sipas tij, fitorja në dy komuna asnjëherë nuk do të thotë se je fitues i zgjedhjeve lokale pavarësisht se ato dy komuna mund të jenë më të mëdhatë.

“S’do mend se fitimi i sa më shumë komunave do të thotë rritje e përkrahjes për një parti të caktuar. Mirëpo, mendoj se marrja e Komunës së Tetovës dhe Komunës së Çairit nuk përcakton domosdoshmërisht fituesin e zgjedhjeve. Nuk duhet harruar se po aq të rëndësishme sa këto komuna për shqiptarët janë Komuna e Strugës, Komuna e Gostivarit, Komuna e Kërçovës dhe ajo e Likovës”, thotë për Zhurnal, Iljasa Salihu, publicist.

Nga ana tjetër, Urim Saliu, analist politik thotë se secila komunë ka peshën e vet. Për nga rëndësia si tërësi nuk mund të bësh një seleksionim.

“Por në esencë komunat rurale dhe ato të zonave urbane më të vogla nuk mund ta kenë forcën elektorale të njëjtë. Çairi dhe Tetova janë megjithatë një barometër për partitë sepse aty është i përqendruar trupi elektoral. Këtu pikërisht partitë e shohin forcën e vërtetë dhe në fakt ashtu është. Por sa është e përqendruar një subjekt për zhvillimin ekonomik të këtyre dy zonave të mëdha kjo është dytësore kur në fakt s’duhet të jetë kështu. Çdo komunë ka rëndësinë e vet por Tetova dhe Çairi për subjektet politike ka dicka më shumë dhe aty shihet edhe forca e vërtetë e tyre”, thotë Urim Saliu, analist politik për Zhurnal.mk




Be the first to comment

Leave a Reply