Tension në kryesi, Basha: S’ka fraksione sa të jem unë kryetar




Mbledhja e kryesisë së PD është shndërruar në një mbledhje maratonë prej 4 orësh, çka do të thotë se problemet në partinë më të madhe të opozitës, janë të mëdha dhe bashkimi mes palëve është i vështirë. Lulzim Basha foli për bashkim, por nuk pranoi tezën kryesore të kritikëve të tij për bashkim.

“Sa kohë të jem unë kryetar i PD-së, nuk do të ketë fraksione në Partinë Demokratike, por do të ketë hapësirë për këdo demokrat, që do të kontribuojë për qëllimin e përbashkët, i cili është një qëllim kombëtar, jo thjesht një qëllim i PD-së, për të çliruar vendin nga zgjedha e krimit, nga bandat që qeverisin sot, si aleate të denja të Edi Ramës, që i përdori ata për të marrë pushtetin”, tha Basha.

Basha nuk tha një propozim konkret për bashkimin, pasi pret një rezultat nga analiza 8-javore me bazën, një vendim unanim ky i kryesisë, pavarësisht linjave kundërshtare.

“Lajmi i sotëm është vendimi unanim i kryesisë së PD-së, për të nisur menjëherë një proces analize dhe konsultimi me bazën demokrate, duke përfshirë të gjithë simpatizantët e PD-së, me qëllim, forcimin e PD, reformimin, bashkimin dhe përballjen me Edi Ramën”, u shpreh lideri i PD-së.

Megjithëse refuzoi fraksionet, në partinë Demokratike, Basha lajmëroi ndryshimet në statut, edhe ky një vendim unanim i kryesisë.

“Një grup pune do të punojë paralelisht me procesin e konsultimit me anëtarësinë, i cili po kështu, do bëjë që zëri i çdo anëtari të Partisë Demokratike të dëgjohet, për ta bërë PD-në më të fortë, më demokratike dhe më të aftë për t’u përballur me të keqen”, tha Basha.

Gjatë mbledhjes pati edhe një moment tensioni, kur u shmang edhe një përplasje fizike mes dy anëtarëve të kryesisë, Jemin Gjana dhe Valbona Mezini, pas akuzave të kësaj të fundit për manipulim të rezultatit për zgjedhjet në parti.




Be the first to comment

Leave a Reply