Të dielën dihen emrat e Qeverisë Rama 2




Në takim me ambasadorët e Shqipërisë në vendet e BE-së dhe NATO-s,kryeministri Edi Rama ka njoftuar se të dielën do të prezantojë kabinetin dhe ministrin e ri të Jashtëm.

“Pas shpalljes së Qeverisë së re të dielën do ti kërkoj Ministrit të ri që të bëjë një takim me ju për të biseduar në funksion të rolit që do marrë menjëherë shërbimi i jashtëm në ekonominë e vendit”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar me ashpërsi sot, punën e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushatit dhe të ambasadorëve të Shqipërisë në botë, të cilët i ka thirrur në një takim në Ministrinë e Jashtme.

Rama tha se tani e tutje, puna e shefit të ri të diplomacisë do të jetë e matshme çdo vit dhe theksoi se na “duhet një përmbysje e madhe” në shërbimin e jashtëm.”Nuk mund të mjaftoheni më me një notë proteste, me një njoftim të thatë apo duke pritur telefonatën e ardshme për të justifikuar pagën”, u tha ai.

Kritika kryesore e Kryeministrit ka pasur të bëjë me mungesën e shqetësimit të tyre 4 vjet rresht për të sjellë në Shqipëri, investime, operatorë ekonomikë, me mungesën e ideve të tyre për të ofruar në Shqipëri përvojat më të mira të biznesit.

Kritika e ashpër e Ramës ndaj ambasadorëve vjen pak ditë para krijimit të qeverisë së re Rama II.
“Në harkun kohor të këtyre 4 viteve unë e kam të vështirë të gjej në kujtesën sime, operatorë ekonomikë të sjellë nga ju. E kam pyetur veten dhe ju pyes se si ka mundësi të kemi qënë kaq të avashtë, shqip – kaq të leshtë – sa për të mos gjetur rrugët e nevojshme në mënyrë që realiteti ynë, ky realitet që ndryshon me muaj dhe muaj, të ndryshojë. Unë nuk di ta justifikoj këtë boshllëk në kaq shumë vite dhe në 4 vitet që po mbyllim. Nuk di të pajtohem me mungesën e interesit apo të kujdesit të të dërguarve tanë nëpër botë dhe ta kapërdij mungesën e ideve apo shqetësimeve tuaja. Pra, shija që lë kjo situatë është e pakta, aspak e këndshme. Nuk po them asgjë të padëgjuar se kohët kanë ndryshuar rrënjësisht, kudo rreth nesh gjeopolitika është përshpejtuar, globalizmi ka cenuar dhe ka prishur ekuilibrat e hershëm duke përshpejtuar ekuilibrat e rinj.

Ne kemi pastruar mjaft diplomatë, parazitë dhe ende kemi për të pastruar, sepse ka ende diplomatë delenxhij. Vendi ka nevojë për njerëz të respektueshëm”. /Telegrafi/




Be the first to comment

Leave a Reply