Superpagat e Vettingut; PS voton kundër, pro PD e LSI




Njerëzit e organeve që do të bëjnë vettingun dolën të pakënaqur nga vendimi i socialistëve në Komisionin e Ligjeve për të reduktuar ndjeshëm numrin e njerëzve dhe nivelin e pagave të tyre.

Vetëm Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit ra dakord me shkurtimin, duke rezervuar të drejtën për të kërkuar ndryshime kur të hartohet buxheti i vitit të ardhshëm.

Dy organet e tjera, Kolegji i Apelimit dhe komisionerët publikë e kundërshtuan propozimin e socialistëve, që ul me gati 80 numrin e punonjësve në të tre organet.

“Nuk kemi vënë asgjë për luks. Duam një strukturë që të jetë procesi më efikas. Po e reduktuar dhe e çoni në këtë numër Kolegjin e Apelimit, po cenoni pavarësinë, procesin efikas të punës së Kolegjit të Apelit. Populli i ka sytë tek ne”, tha para deputetëve, Natasha Mulaj, Kryetare e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Por, bashkë me numrin e punonjësve, socialistët nuk kanë pranuar as propozimin e tre institucioneve për një pagë shumë të lartë të njerëzve që do të bëjnë vettingun në Shqipëri. Të paktën për këtë vit ata do të paguhen me rreth 1/3-n e shumës që kishin propozuar, ç’ka solli debat mes qeverisë dhe opozitës.

“Kërkohet që një komisioner publik të marrë 10 milionë lekë të vjetra në muaj, ndërsa Kolegji i Apelimit ka ardhur këtu dhe kërkon një pagë 11 milionë të vjetra për person në muaj”, tha për socialistët, Vasilika Hysi.

“Kemi ngritur një strukturë antimafia, sepse presupozohet që këta zotërinj bashkë me stafin e tyre dhe me të gjitha risqet që do të marrin përsipër, do të shkojnë tek thelbi i mafias që e ka mbytur këtë vend. Sot, të flasim sesa kushton puna e tyre, e dinë ata sesa u dhemb shpirti që merren me këtë punë. Ata i kanë hyrë detit në këmbë”, u përgjigj demokrati, Gent Strazimiri.

Opozita, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kishin të njëjtin qëndrim për t’u dhënë organeve të vettingut gjithçka kërkojnë.

Duke iu referuar përgjigjes nga Komisioni Europian, demokratët propozuan edhe shtimin e njerëzve dhe fondeve, duke deklaruar se shkurtimi njerëzve dhe i pagave cenon efektivitetin e  tyre dhe kompromenton procesin.

Por, socialistët vendosën gjithçka me votë. I vetmi prej tyre që nuk votoi për vendimin ishte Saimir Tahiri, i cili nuk ndryshoi qëndrim për mbështetjen e plotë financiare të organeve të vettingut.




Be the first to comment

Leave a Reply