Programi, PD: Ja pse nuk kemi pyetje për qeverinë në seancën e 18:00




Partia Demokratike nuk do të depozitojë pyetje për programin e qeverisë, përgjigjet e së cilave ishin parashikuar të merreshin në seancën plenare të orës 18:00.

Përmes një deklarate për mediat, grupi parlamentar i PD-së e argumenton këtë qëndrim me faktin se drejtimi i pyetjeve pa mundësi për debat  është keqpërdorur  për të marrë kohën e një propagande elektorale ndër vite.

“Vazhdimi i seancës në orën 18.00 sipas  proçedurës së rregullores së Parlamentit  lejon vetëm depozitimin e pyetjeve me shkrim pa të drejtën e replikës apo debatit.

Eksperienca dhe historiku i këtyre seancave  ka treguar që, drejtimi i pyetjeve pa mundësi për debat  është keqpërdorur  për të marrë kohën e një propagande elektorale.

Koha e përgjigjeve asnjëherë  nuk i ka shërbyer qartësimit programor për qytetarët, por ka favorizuar reklamën e propagandën e kryeministrit” thuhet në deklaratën për mediat.

Partia Demokratike deklaron se do të bëjë opozitë të vërtetë dhe përmbajtësore.

“Partia Demokratike nuk do t’i japë asnjë  shans kësaj maxhorance të keqpërdorë  kohën  në favor të publiciteteve varfëruese për shqiptarët.Për rrjedhojë vendimi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, është të mos drejtojë pyetje që i japin mundësi propagandës qeveritare” theksohet në deklaratë. 

Në përfundim PD, deklaron se pyetjet dhe çështjet që shqetësojnë qytetarët do të ngrihen gjatë seancës së debatit ku secili deputet do të ketë mundësinë të mbrojë gjatë fjalës së tij qëndrimet dhe argumentet në favor të qytetarëve.




Be the first to comment

Leave a Reply