Pas rezultatit historik, partia nacionaliste zotohet se do t’i luftojë të huajt në Gjermani




Partia nacionaliste e ekstremit të djathtë në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD), është zotuar se do ta luftojë, siç ka thënë, pushtimin e të huajve në vend, pasi fitoi ulëset e para në parlamentin gjerman.

“Ne duam një politikë më ndryshe”, ka thënë bashkë-lideri i AfD-së, Alexander Gauland, pas zgjedhjeve historike për këtë parti, transmeton Express.

Ndërkohë, kancelarja Angela Merkel është rizgjedhur për një mandat të katërt, por blloku i saj konservator CDU/CSU mori rezultatin më të keq në gati 70 vjet.

Tash, Merkel ka nisur negociatat për ta formuar një koalicion për qeverinë e re.

Partnerët aktual të bllokut të saj, socialdemokratët (SPD), kanë thënë se nuk do të futen në koalicion me Merkelin pas humbjes historike, dhe se do të qëndrojnë në opozitë.

Fushata zgjedhore e AfD-së shfrytëzoi kritikat që Merkeli mori për vendimin e saj për t’i hapur kufijtë e Gjermanisë për emigrantët dhe refugjatët në vitin 2015.

Suksesi i AfD-së e ka tronditur establishmentin politik në Gjermani. Ndërsa, janë mbajtur protesta kundër kësaj partie anti-islami në disa qytete gjermane pas rezultatit të zgjedhjeve.

“Një milion njerëz, të huaj, që po futen në këtë vend janë duke e marrë një pjesë të këtij vendi dhe ne si AfD nuk e duam këtë”, ka thënë sot Gauland në një konferencë për media.

“Ne themi se nuk duam ta humbasim Gjermaninë ndaj një pushtimi të të huajve që vijnë nga një kulturë tjerët. Shumë e thjeshtë”, ka thënë ai.




Be the first to comment

Leave a Reply