Partitë finalizojnë kandidatët, BDI akoma pa kandidat në Tetovë




Bashkimi Demokratik për Integrim ka ngelur partia e vetme e cila ende nuk ka caktuar kandidatin me të cilin do të garojë në Komunën e Tetovës. Burime brenda kësaj partie njoftojnë se edhe më tej ka përplasje në organet partiake mes Teuta Arifit dhe disa emrave të tjerë, por ende nuk mund të sillet një vendim i prerë.

Ndërkaq, tre partitë e tjera shqiptare tanimë kanë zyrtarizuar kandidaturat e tyre. Lëvizja Besa në Komunën e Tetovës do të garojë me kryetarin e kësaj partie, Bilall Kasamin, Aleanca për Shqiptarët me Adnan Azirin, ndërsa PDSH me deputetin aktual Bardhyl Dautin.

Përveç Tetovës BDI ende nuk ka caktuar edhe kandidatët për shumë komuna të tjera. Deri më tani janë zyrtarizuar vetëm emrat e disa kryetarëve aktual si Nevzat Bejta në Gostivar, Fatmir Dehari në Kërçovë dhe Fatmir Izairi në Zhelinë.

Përveç tyre BDI ka caktuar edhe Visar Ganiun për Komunën e Çairit, Blerim Bexhetin në Saraj dhe ish deputetin Femi Jonuzi në Komunën e StudeniÇanit. Lëvizja Besa ka zyrtarizuar pjesën dërmuese të kandidatëve me të cilët do të garojë në zgjedhjet e 15 tetorit.

Përveç kryetarit Kasami në Tetovë, BESA do të kandidojë edhe nënkryetarin e kësaj partie, Zeqirja Ibrahimin në Komunën e Çairit. Në Gostivar Besa do të garojë me Asaf Ademi, në Haraçinë: Ali Ismaili, Dibër: Xhemail Çupi, Bërvenicë: Selatin Jusufi, Likovë: Shaban Zendeli, Studeniçian: Rexhep Memedi, Bogovinë: Minur Asani dhe në Komunën e Zhelinës kandidat i BESËS do të jetë Blerim Sejdiu.

Edhe Aleanca për Shqiptarët ka konfirmuar zyrtarisht për televizionin Shenja pjesën dërmuese të kandidatëve. Kryetari i kësaj partie Ziadin Sela do të garojë për një mandate të dytë në Strugë, ndërsa ministri Arben Taravari në Gostivar. Në Tetovë Aleanca garon me Adnan Aziri, në DIbër me Arben Agollin, Vrapcisht: Isen Shabani, Bogovinë: Albon Xhemaili, Likovë: Bekim Avuzi, Haraqinë: Isen Ramadani, Çair: Faruk Avdiu, Zhelinë: Dr Reshat Aliu, Studenican: Mexhit Yneri, Bervenicë: Nasuf Sinani , Tearcë: Mr.Nevzat Veliu. Në Komunovë dhe Kërçovë Aleanca do të garojë vetëm me listë për këshilltarë. Në Komunën e Sarajit kjo parti pritet që kandidatin ta caktojë sonte ose më së voni nesër, por burime jozyrtare thonë se kandidati me më shumë gjasa është Hazbi Nuredini. Ditëve të fundit edhe PDSH ka intensifikuar aktivitetet dhe ka zgjedhur një pjesë të madhe të kandidatëve.

Përveç Tetovës PDSH ka caktuar edhe kandidatin në Likovë: Bardhyl Destani, Studeniçan: Azem Sadiku, Vrapçisht: Sami Aliu, Bogovinë: Elvir Iseni, Tearcë: Ruhan Iljazi, Zhelinë: Sali Ajdini dhe në Dollnen me Eroll Abdiun. BDI, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët kanë arritur marëveshje që në Komunën e Gazi Babës dhe atë të Manastirit të garojnë me listë të përbashkët për këshilltarë. Arben Zeqiri /SHENJA/




Be the first to comment

Leave a Reply