Osmani: I bindur për fillimin e negociatave këtë vit




Dy javë përpara publikimit të raportit të progresit për Maqedoninë e Veriut nga Komisioni Evropian, zv.kryeministri Bujar Osmani nuk dëshiron të bëjë të ditur  detaje rreth tij, edhe pse ka parë versionin kornizë. Osmani vazhdon të besojë se vendi do të fillojë negociatat për anëtarësim brenda vitit.

“90 për qind në qershor, 10 për qind do i lë alternativë për në korrik, nëse ndodhë më tutje vërtet do të jetë dështim i procesit të integrimit në përgjithësi, dhe mendoj se do të dëmton rëndë dinamikën e zhvillimeve pozitive këtu, do i jep mesazh negativ rajonit por do të dëmton edhe kredibilitetin e Bashkimit Evropian”-tha Bujar Osmani, zv.kryeministër.

Raporti i Komisionit Evropian do të publikohet më 29 maj, disa ditë pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Pas kësaj, në qershor,  Këshilli Evropian do të shqyrtojë vendimin për fillimin eventual të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me vendet tjera kandidate. Qeveria shpreson që mbledhja e parë ndërqeveritare, që nënkupton fillimin zyrtar të negociatave me BE-në të mbahet në dhjetor.