Një ekip tjetër shqiptar i bashkohet Shkëndijës U19 në Champions League




Liga e Kampioneve për të rinj, UEFA Youth League, do të ketë si protagoniste dy skuadra shqiptare, Vllazninë dhe Shkëndijën e Tetovës. Mungon vetëm shkresa nga UEFA, por tashmë është e sigurt se të dy skuadrat kanë siguruar kriterin sportiv dhe do të marrin pjesë në aktivitet.

Gjithçka varej nga ndeshjet e djeshme në Ligën e Kampioneve. Meqë në këtë turne marrin pjesë skuadrat U19 të të gjitha klubeve të kualifikuara në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve si dhe një numër i caktuar ekipesh kampione në aktivitetet e kësaj grupmoshe në vendet e ndryshme në Europë, Vllaznia dhe Shkëndija kishin sytë nga sfidat e Sëlltikut dhe Olimapikosit.

Si Skocia, ashtu edhe Greqia kishin vetëm një vend të garantuar në turne dhe akademitë e dy klubeve ishin kampionet në fuqi. Për t’i lënë vendin Vllaznisë dhe Shkëndijës, kampionet përkatëse të Shqipërisë dhe Maqedonisë, duhej kualifikimi i skocezëve dhe grekëve, gjë që ndodhi mbrëmë, duke i hapur rrugë përfshirjes së kuqebluve e kuqezinjve, raporton Panorama.

Shorti për fazën e pare eliminatore të turneut do të hidhet më datë 29 gusht dhe mes kundërshtarëve të mundshëm të skuadrave shqiptare, gjenden edhe emrat e italianëve të Interit, holandezëve të Ajaksit apo edhe austriakëve të RB Salcburg, fituesit në fuqi të turneut. Në këtë pikë të turneut, ekipet shqiptare nuk mund të ndeshen me akademitë e klubeve të cilat marrin pjesë në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve.




Be the first to comment

Leave a Reply