“MOST” konstaton keqpërdori të seancës konstituive nga VMRO-ja dhe Veljanoski




Asociacioni qytetar MOST në raportin e dytë të projektit “Qytetarët të përfshirë për Kuvend përgjegjës dhe transparent” ka konstatuar keqpërdorime nga deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe nga kryesuesi i seancës konstituive, Trajko Veljanovski.

Në raportin e publikuar qëndron se për herë të parë në historinë e Maqedonisë parlamentare seanca konstituive ka zgjatur 22 ditë pune në periudhë prej pesë muajsh.

Sipas MOST, zvarritja e seancës konstituive është meritë e shkeljeve të shumta të Rregullores që ka shkaktuar anulim të ndërrimit të pushtetit, gjegjësisht paralizë të pushtetit ligjvënës dhe ekzekutiv. Seanca konstituive ka përunduar pesë muaj nga fillimi, me ç’rast për aq është anuluar edhe formimi i qeverisë së re.

“Arsyeja për këtë është keqpërdorimi i të gjithë llojeve të fjalimeve nga deputetët: diskutim, replikë, kundër-replikë dhe fjalim procedural. Të gjithë deputetët nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së (51) janë paraqitur për të folur, prej të cilëve 16 e kanë shfrytëzuar të drejtën e diskutimit deri më 27 prill. Vetëm njëri nga folësit i është përmbajtur pikës së rendit të ditës – zgjedhja e Komisionit për çështje zgjedhore dhe emërime. Rregullorja është shkelur në 1.566 nga gjithsej 1.812 fjalime (86 për qind) ndërsa më së shumti është shkelur nga ana e deputetëve të koalicionit të VMRO-DPMNE-së, me 1.352 shkelje (86 për qind nga numri i përgjithshëm i shkeljeve), pason LSDM-ja me 148 shkelje (9 për qind nga numri i përgjithshëm i shkeljeve)”, thuhet në raportin e MOST.

Ky është raporti i dytë nga monitorimi i punës së Kuvendit që e përgatit MOST, ndërsa lëndë e observimit është seanca konstituive, gjegjësisht fjalimet e deputetëve dhe mënyra me të cilën kryesuesi e ka udhëhequr seancën.

Projekti “Qytetarë të përfshirë për Kuvend përgjegjës dhe transparent” do të realizohet deri në mars të vitit 2018 dhe parashikon publikim të raporteve periodike për indeksin e përgjegjësisë, transparencës dhe produktivitetit të Kuvendit të cilët duhet t’i informojnë opinionin, mediat dhe organizatat qytetare për punën e deputetëve, si dhe për mënyrën me të cilën Kuvendi e ushtron rolin e saj të rregulluar me Kushtetutën e Maqedonisë.




Be the first to comment

Leave a Reply