Milani triumfon me spektakël ndaj Shkëndijës (Foto/Video)




Gjiganti italian, Milan ka shënuar fitore të thellë 6-0 ndaj Shkëndijës së Tetovës në kuadër të Ligës së Evropës.

Ndeshja e parë i takoi ‘Rossonerëve’ pas një paraqitje fantastike në fushë.

Në praninë e mbi 40 mijë tifozëve, skuadra e Vincenzo Montellës ka shkëlqyer duke shënuar nga tre gola në secilën pjesë.

Serinë e golave e hapi sulmuesi i talentuar Andre Silva pas 13 minutave lojë.

Në minutën e 25-të, mesfushori italian Ricardo Montolivo dyfishoi epërsinë pas asistimit nga Suso.

Vetëm tre minuta më vonë, Andre Silva shënoi golin e dytë personal për ta ngritur epërsinë e Milanit në 3-0.

Me epërsinë e trefishtë të vendasve skuadrat shkuan në pushim prej 15 minutave.

Pas 22 minutave lojë në pjesën e dytë, ishte sulmuesi tjetër i transferuar këtë verë te Milani, Fabio Borini që ngriti epërsinë në 4-0, ku u shërbye mirë nga Andre Silva.

Dy minuta më vonë, mbrojtësi Luca Antonelli shënoi për 5-0.

Pesë minuta para fundit të ndeshjes, Ricardo Montolivo gjeti edhe njëherë rrjetën duke shënuar golin e dytë personal për 6-0.

Me këtë fitore të thellë, Milani me një këmbë është në grupet e Ligës së Evropës, pasi vështirë se do të ndodhë një mrekulli që Shkëndija ta rikthejë rezultatin në ndeshjen e kthimit e cila zhvillohet pas një jave në Shkup.




Be the first to comment

Leave a Reply