Milani gati të shes sulmuesin polak?!




Sezoni i Milanit mund të komprometohet ndjeshëm në rast se “kuqezinjtë” nuk ia dalin të kualifikohen në Ligën e Kampionëve. Klubi në këtë mënyrë do të mundohej të rregullonte bilancin financiar duke ditur edhe se janë nën vëzhgim nga UEFA . Ai që mund të sakrifikohet është sulmuesi i afruar në janar, Kristof Piatek. Polaku e nisi aventurën te “kuqezinjtë” në mënyrë të shkëlqyer duke shënuar rregullisht, por në javët e fundit, 23-vjeçari ka humbur nuhatjen para portës dhe nëse Milani nuk ka marrë rezultate faji për këtë është dhe i Piatekut. Megjithatë, për sulmuesin ofertat nuk mungojnë dhe në merkaton e verës, gjithnjë nëse “kuqezinjtë” nuk ia dalin të sigurojnë Ligën e Kampionëve, atëherë mund të detyrohen ta sakrifikojnë për një shumë mbi 50 milionë euro. Piatek u transferua për shumën e 35 milionë eurove nga Xhenoa, por aventura e tij në Milano mund të zgjasë vetëm 6 muaj, i detyruar nga objektivi i dështuar i klubit për të shkuar në kompeticionin më të rëndësishëm europian.