Kurti: Kosovës nuk i duhet dialogu me Serbinë, por punësimi dhe drejtësia




Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, në tryezën e organizuar nga KFOS-i, me temën “Çfarë mund të presë Kosova nga ky proces?”, ka thënë se subjekti i tij asnjëherë nuk ka qenë kundër dialogut me Serbinë, por kanë qenë kundër dialogut pa parime.

“Është një dialog asimetrik, me të cilën Kosova ka qenë më shumë temë sesa palë. Në zyrën e Mogherinit, Bashkimi Evropian s’ka qenë ndërmjetësues, por pacifikues. Kësaj i shtohet fakti se BE në Kosovë ka një mision me fuqi ekzekutivi dhe një të tillë s’e ka në Beograd. Krerët e ndryshëm të EULEX-it kanë dhënë ligjërata në universitete private e asnjëherë s’kanë raportuar në Kuvend. Është e qartë se kjo asimetri asnjëherë s’ka sjell dobi”, ka thënë ai.

Sipas tij, viteve të fundit dy gjëra kanë qenë gabim historia dhe ekonomia.

“Nuk duhet ndrydhur historia dhe duhet të theksuar socio-ekonomia. Duhet të parashohim të fillojmë dialog me serbët e Kosovës dhe të fillojmë të dialogojmë. Nuk duhet t’i shohim serbët e Kosovës si serbë, por si mjekë, si bujq etj. Kësisoj mund ta arrijmë integrimin, pasi dialogu nuk i ka kontribuar serbëve të Kosovës”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.

Kurti mendon se shenjat e para të procesit të dialogut me Serbinë nuk janë të mira.

“Ky dialog është bërë me idenë se nëse nuk dialogojmë duhet të luftojmë, por dialogu nuk është në kontrast me këtë, por me punën. Ne dialogojmë shumë se punojmë pak. Është besuar që përderisa dialogojmë me Serbinë, e mbajmë atë larg Rusisë, e Serbinë e mban pak larg Rusisë jo dialogu po fondet e Bashkimit Evropian”, u shpreh Kurti.

Ai gjithashtu tha se nuk ka logjikë të fillojnë me një dialog të ri pa i shikuar këto gjashtë vitet e fundit se kush çka bëri.

“Duhet të hetohet ky rast”, ka thënë ndër të tjera ai.




Be the first to comment

Leave a Reply