Komuna e Çairit reagon ndaj akuzave dhe shpifjeve të Zeqirja Ibrahimit të Besës




Komuna e Çairit reagon ndaj akuzave dhe shpifjeve që kandidati i koalicionit Besa – VMRO DPMNE , i kanë bërë pjesë të preludit të fushatës zgjedhore që sapo ka nisur. Kjo formë e dëshpëruar dhe agresive e nisjes së fushatës për të baltosur punën e kryetarit aktual të komunës është modeli më i keq jo vetëm i qytetarisë dhe i vlerave njerëzore, por edhe i një dueli të bastarduar politik.

Është diskursi më i neveritshëm ku shpresojnë të gjejnë strehë ata që më pak janë të bindur tek fitorja dhe mbështetja që gëzojnë tek popullsia. Se si është transformuar komuna e Çairit gjatë këtyre viteve, cilat janë premtimet e dhëna  dhe angazhimi për projektet e realizuara janë realitete me të cilat banorët e Çairit jetojnë dhe i prekin çdo ditë.

Ato nuk mund t’i “zgjojë nga gjumi” koalicioni Besa – VMRO-DPMNE, i cili duket se gjatë kësaj kohe ishte më shumë i zënë duke u marrë me tregtimin e votës dhe vullnetit të lirë të zgjedhësve, sesa me hartimin e projekteve dhe strategjive serioze për zhvillimin e kësaj zone  dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Në kohën kur BESA bënte marrëveshje në prapaskenë, BDI punonte për të zgjedhur njerëzit  e duhur dhe zgjidhjet afatgjate në të mirë të banorëve të Çairit.

Ishte pikërisht kryetari aktual i Komunës së Çairit ai që inkuadroi Komunën e Çairit në mesin e tre komunave të para ku do të realizohet procesi i gazifikimit. Ne e pyesim Besën se nëse sipas tyre banorët e Çairit nuk duhet të besojnë në projekte dhe strategji, ku dhe kujt duhet t’i besojmë? I bëjmë thirrje Besës që të hyjë në këtë garë jo me spekulime dhe profeci por me projekte konkrete.




Be the first to comment

Leave a Reply