“Irma” vazhdon shkatërrimin. Në shënjestër ishujt Bahamas




Uragani “Irma” u përplas mbi ishujt Turks dhe Caicos, pasi mbolli shkatërrim në mbarë Karaibet e vrau të paktën 14 vetë.

Fuqia e erërave të saj ka rënë, duke e çuar në stuhi të kategorisë së katërt, por “Irma” vazhdon të mbetet e pamëshirshme me çdo gjë që gjen në rrugën e saj. Pasi rrafshoi Barbudën dhe një pjesë të St. Martinit, “Irma” kërcënon ishujt Bahamas me përsëritje të skenarit të ferrit dhe ngritje të nivelit të detit deri në 6 metra mbi normalen.

Frika për jugun e Floridës shtohet gjithmonë e më shumë, e deri tani 500 mijë personave atje u është kërkuar evakuimi.

Trajektorja e uraganit po lëviz duke e vendosur Miamin në pozicionin më të keq të mundshëm. E gjithë ajo zonë, sipas meteorologëve, mund ta gjejë veten këtë fundjavë në syrin e stuhisë, e megjithatë autoritetet po përgatiten për më të keqen.

“Pavarësisht se në cilin breg të Floridës jetoni, përgatituni për evakuim”, deklaroi të enjten guvernatori i këtij shteti, Rick Scott. “Shtëpitë mund t’i rindërtoni, – u shpreh ai, – por jetën nuk e ktheni dot”.

Kreu i Agjencisë amerikane të Emergjencave parashikon pasoja katastrofike nga ai që u mbiquajt në media si “uragani bërthamor”. Pas ishujve Bahamas, në rrugën e “Irmës” është Kuba, nga ku turistët po ikin, ndërsa banorët e qyteteve bregdetare janë këshilluar të lëvizin drejt vendeve më të larta.

Plot 1.2 milionë vetë rezultojnë të prekur nga uragani i konsideruar si një ndër më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë në Atlantik, por Kryqi i Kuq druhet se ky numër mund të rritet deri në 26 milionë.




Be the first to comment

Leave a Reply