“Harvey” dhe “Irma”, “çifti” që shkatërroi SHBA-të




Llogaritja e kostos së dëmeve të shkaktuara nga “Harvey” dhe “Irma” është thuajse e pamundur, kjo edhe sepse nuk dihet as nga të fillohet dhe cilët zëra të përfshihen në bilanc.

Edhe duke qëndruar në pozicionet minimaliste, siç ka bërë agjencia e vlerësimit “Moddy’s”, llogaria mund të shkojë në 150 deri në 200 miliardë dollarë, shumë më tepër nga dëmet e shkaktuara prej uraganit “Katerina” në Neë Orleans në vitin 2005.

Shuma përfshin dëmet që kanë të bëjnë me banesat, njësitë tregtare, mjetet private dhe infrastrukturat publike. Mes parave të kompanive të sigurimeve dhe fondeve federale, ndihmat duhet të mbulojnë disa vepra të domosdoshme për të rindërtuar atë që është goditur nga vala e jashtëzakonshme e motit të keq, por shumë zëra do të mbeteshin pa zgjidhje.

Ka edhe nga ata që situatën e shohin edhe më të zymtë. Vlerësimet e “AccuWeather” flasin për 290 miliardë dollarë kosto të dëmeve të shkaktuara nga uraganet në territorin amerikan, pa marrë në konsideratë Kubën dhe territoret franceze e holandeze.

Në bilancin e llogarive mungon edhe një përllogaritje mbi ndërhyrjet e lidhura me operacionet e evakuimit, humbjes së aktiviteteve tregtare, rritjen e çmimit të karburanteve, apo dëmtimin e të mbjellave në bujqësi.

Një nga hipotezat për të financuar koston e rindërtimit është ajo e përfshirjes së një takse karboni, gjë që duket e pamundur për shkak të hezitimit të Trump për vendosjen e taksave të reja. Analistët thonë se faktorë kyçë që mund të ndikojnë pozitivisht janë rimëkëmbja e shpejtë e rafinerive dhe sektorit të turizmit, ndërkohë që paratë e sigurimeve dhe ndihmat federale, sipas tyre, duhet të dislokohen shpejt në mënyrë që të mos vonohet rindërtimi.




Be the first to comment

Leave a Reply