Gjykata Kushtetuese spanjolle pezullon ligjin e referendumit për pavarësinë e Katalunjës




Gjykata Kushtetuese e Spanjës ka pezulluar ligjin për referendum të miratuar nga parlamenti katalanas për organizimin e një votimi për pavarësinë e rajonit. Gjykata thotë se tashmë do të shqyrtojë nëse ligji bie ndesh me kushtetutën e Spanjës.

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy u shpreh se ai kishte apeluar në gjykatë që referendumi të deklarohej si ilegal, duke e përshkruar ligjin si një “akt të patolerueshëm të mosbindjes”.

Por pavarësisht vendimit nga Gjykata Kushtetuese, liderët katalanas kanë deklaruar se referendumi do të mbahet në 1 tetor, ashtu siç është planifikuar. Rajoni i pasur veri-lindor i Katalunjës ka fuqi autonome por qeveria rajonale thotë se gëzon mbështetje popullore për një shkëputje të plotë nga Spanja.

Vetëm pak orë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, parlamenti katalanas miratoi kuadrin ligjor për një tranzicion në rast të një fitoreje për pavarësinë.

Shumica pro-pavarësisë në parlamentin e Katalunjës miratoi ligjin për referendumin të mërkurën. Kryeministri Rajoy deklaroi se të gjithë autoritetet lokale do të paralajmëroheshin për detyrimin e tyre për të ndaluar apo paralizuar çdo përpjekje për të zhvilluar votimin, që Madridi e konsideron si jo-demokratik e jo-ligjor.

Edhe Prokurori i Përgjithshëm i Spanjës Jose Manuel Maza është shprehur se zyra e tij do të paraqesë akuza penale kundër anëtarëve të parlamentit katalanas që votuan dhe nënshkruan pro organizimit të referendumit.




Be the first to comment

Leave a Reply