Fjalimi i Xhemil Qamilit, kandidat i BDI-së për kryetar të komunës së Dollnenit




Sot shpalos shkurtimisht para jush vizionin tim dhe të BDI-së për katër vitet e ardhshme të qeverisjes sonë me këtë komunë. Programi ynë parashikon investime dhe zgjidhjen e shumë çështjeve në fushën e: arsimit, urbanizmit, infrastrukturës, zhvillimit ekonomik në përgjithësi, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, kulturës dhe sportit, ambientit jetësor. Kjo për shkak se fatkeqësisht gjendja në të gjitha sferat e lartpërmendura në komunën e Dollnenit është katastrofale. Momentalisht ajo është e zhytur në borxhe të panumërta me çka, fjala vjen,  pamundësohet funksionimi normal edhe i procesit edukativo-arsimor.   Në këtë drejtim, do të ndërtohen klasa shtesë, do të përmirësohen kushtet për mësim, do të angazhohet kuadër profesional, do të hapen çerdhe për fëmijë, të cilat mungojnë gjithandej në komunën e Dollnenit.

Çështja e infrastrukturës është një ndër pikat e rëndësishme dhe prioritare dhe prandaj kemi parashikuar zhvillimin e vendbanimeve, ndërtimin e rrugëve dhe rrugicave, ndërtimin e hapësirave të gjelbërta në vendbanimet më të mëdha, sistemin e ujësjellësve, kanalizimeve, ndriçimin e zonave periferike.

-Gjithashtu, për këtë komunë me karakter vital është edhe hapja e rrugës që lidh komunat në qendër të Maqedonisë atë Çashkës dhe Dollnenit, e cila parashihet të jetë arteria kryesore e zhvillimin e kësaj komune si dhe hapja e rrugës që lidh vendbanimet Zhitosh dhe Borinë.

 

– Një nga përgjegjësitë tona kryesore si qeverisje lokale është edhe ajo e zhvillimit ekonomik.
Për këtë qëllim është paraparë ngritja e infrastrukturës së nevojshme rregullatore dhe administrative, nxitja e zhvillimit të biznesit dhe iniciativës për investime, të cilat japin siguri për një zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të standardeve të jetesës së qytetarëve.

Programi ynë, i Bashkimit Demokratik për Integrim, parashikon edhe ndërtimin e një zone industriale për çka nuk mungon interesimi si i investuesve të vendit dhe atyre të huaj. Për një zhvillim dinamik parashikojmë edhe lehtësim dhe unifikim të taksave për bizneset, për shkak se biznesin e shohim partner të fuqishëm të mirëqenies.

Në sferën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale të gjithë qytetarët e komunës së Dollnenit do të përfitojnë nga sistemi bashkëkohor gjithëpërfshirës shëndetësor duke ngritur nivelin e mbrojtjes në këtë komunë. Këtu theksoj se me këtë program parashikohet;

  • Promovimi i shëndetësisë në të gjitha politikat lokale publike;
  • Ofrimi i shërbimeve efikase dhe cilësore shëndetësore në të gjithë territorin e Komunës së Dollnenit;
  • Ngritja e nivelit të mbrojtjes shëndetësore;
  • Hapja e qendrës së përbashkët për ndihmën e shpejtë në territorin e komunës së Dollnenit me pajisjen e duhur dhe me automjet për ndihmën e shpejtë dhe
  • Ngritja e vazhdueshme profesionale e personelit shëndetësor;
    • Parashikojmë edhe investimet adekuate në sektorin e kulturës, rinisë e sportit. Do të krijojmë kushte të favorshme për ngritjen e sallave sportive,  fushave të sportit, organizimin dhe financimin e garave të ndryshme sportive në futboll, mundje e kështu me radhë. Do të hapen qendra për të rinjtë dhe do të parashikohet një mbështetje e talenteve të reja si dhe do të stimulohet edhe puna e shoqërive kulturo-artistike, përfshirë këtu edhe organizimin e festivaleve të ndryshme.

– Një  ndër pikat kyçe të këtij programi është edhe ambienti jetësor – parashikojmë masa konkrete për mbrojtjen e kapitalit natyror të rinovueshëm, edhe atë parashikohet:

  • Mbjellja e pemëve të reja në vendbanimet e komunës nën moto “Një qytetar një pemë”
  • Hartimi i projekteve studimore për shfrytëzimin e burimeve alternative të energjisë- (energjisë së erës apo të energjisë diellore) për shkak se pozita gjeografike na e mundëson këtë;
  • Ndërtimi i deponisë rajonale për komunat e rajonit të Pellagonisë;
  • Paisje me kontejnerë të posaçëm për mbeturinat e letrës dhe plastikës; etj.
  • Aktivizimi i stacioneve filtruese për ujërat fekale;
  • Rregullimi I shtretërve të lumenjve që kalojnë nëpër vendbanime.

Dhe të përfundoj: qysh tash ndjehem fitues i garës së 15 tetorit, për shkak se kam mbështetjen e familjes së madhe të Bashkimit Demokratik për Integrim. Do të punoj me përkushtim për të arsyetuar besimin e votuesve për shkak se programi im është kontratë mes meje dhe qytetarëve.

Ju faleminderit!




Be the first to comment

Leave a Reply