Fillon muaji i bekuar i Ramazanit për besimtarët myslimanë




Besimtarët myslimanë prej sot fillojnë agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit, që zgjat 29 ditë, deri 3 qershor.

Agjërimi është njëra prej pesë shtyllave kryesore të fesë Islame. Në këtë muaj besimtarët shtojnë lutjet e ibadetet, rrisin ndjesinë e përkushtimit ndaj Krijuesit, ndaj shoqërisë e familjes, dhe po ashtu rrisin ndjesinë e solidaritetit, ndihmës e bamirësisë.

Agjërimi për besimtarët është një adhurim që bartë në vete përkushtimin, vendosmërinë, bindjen, urtësinë, devotshmërinë, sinqeritetin, dashurinë, sakrificën, unitetin, tolerancën e mirëkuptimin, vlera këto që e ekuilibrojnë njeriun, e fisnikërojnë shoqërinë, si dhe të ndikojnë në reflektimin për hyjnoren, njerëzoren e humanen.

Muaji i Ramazanit, përveç tjerash, sjell edhe dy momente të veçanta syfyrin dhe iftarin, të cilat në kohën që po jetojmë marrin vlerë e rëndësi edhe më të madhe pasi ofrojnë e bashkojnë edhe më shumë atëherë kur jemi të ulur pranë sofrës me të dashurit tanë.

Më 4 qershor festohet festa e Ramazan Bajramit.