Emrat e të kandidatëve të BDI-së për zgjedhjet lokale




BDI pritet të futet në garë me adutët e saj në Qeveri – zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmani, në Komunën e Çairit, ndërsa zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, në Komunën e Tearcës, kjo sipas burimeve partiake të afërta me Kryesinë e ngushtë të BDI-së. Referuar këtyre burimeve, është e sigurt se nënkryetari i BDI-së, Nevzat Bejta, do të jetë përsëri kandidat për kryetar të Gostivarit, ndërsa edhe anëtari i Kryesisë qendrore – tani ministër pa resor për investimet, Ramiz Merko, do kthehet në garë për Komunën e Strugës, të cilën e udhëhoqi tetë vite më herët para se Ziadin Sela – atëherë nga PDSH, ta merrte kryesimin e saj.

AHMETI NË SARAJ, SHABANI NË LIKOVË

Në Komunën e Sarajit, kandidat më i mundshëm do të jetë ish ministri i Ekologjisë, Bashkim Ahmeti, ndërsa në Vrapçishtë pritet të jetë një kandidat nga fshati Gradec. Në Kërçovë, BDI këmbëngul përsëri të ketë kandidat kryetarin aktual Fatmir Dehari, i cili me gjasë – përveç Lëvizjes BESA, do të mbështetet nga të gjitha partitë tjera shqiptare dhe organizata joqeveritare. Në Tetovë, Teuta Arifi nuk heq dorë edhe nga një mandat, megjithëse kandidati me më shumë gjasa flitet të jetë Ibrahim Dehari, aktualisht nënkryetar i Degës së BDI-së për Tetovë. Kur jemi tek Likova, ende nuk ka kandidat potencial, ndërsa emrat që përfliten në degën e partisë janë ai ish-ministrit të Pushtetit Lokal, Lirim Shabani, anëtari i Kryesisë së degës së BDI për Likovë , Xhemail Ademi, Jahi Jahiu nga fshati Vishticë, si dhe deputeti nga fshati Sllupçan, Rexhail Ismaili. Ndryshe, sipas burimeve anonime – një pjesë e Kryesisë qendrore flitet se i kanë kërkuar ministrit aktual të Ekologjisë, Sadulla Duraku, të kthehet përsëri si kandidat i mundshëm për kryetar të Likovës me qëllim që të përfundojë me disa projekte kapitale në këtë rajon. Sa i përket Dibrës, një bastion i BDI-së ndër vite, por që në këto zgjedhje pritet të sfidohet seriozisht nga Lëvizja BESA, pa mos e përjashtuar as LSDM-në, në këtë komunë aty do të vazhdojë të jetë kandidat kryetari aktual Ruzhdi Lata./koha.mk/




Be the first to comment

Leave a Reply