Cakaj merr pjesë në Konferencën e Helsinkit me 47 ministra të Jashtëm evropianë




Ministri në detyrë i Evropës dhe Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, do të marrë pjesë pas dy javësh në Konferencën e Helsinkit, ku do të jenë pjesëmarrës 47 ministra të Jashtëm evropianë.

Konferenca e Ministrave të Jashtëm të vendeve europiane anëtare të Këshillit të Europës do të mbahet në sallën kryesore të Pallatit “Finlandia”.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Finlandës, Virgjil Kule, i cili në kuadër të vizitës së tij në Finlandë, pati sot një takim me një grup shqiptarësh me banim në qytetet Helsinki, Espoo, Porvoo, Tuusula dhe Vantaa, shkruan ATSH.

Ambasadori Kule shoqërohej nga Konsullja e Përgjithshme e Nderit e Shqipërisë në Finlandë, Dr. Liliana Verdha.

Pasi bëri në ekspoze të shkurtër të masave social-ekonomike e politike mjaft pozitive të Qeverisë Shqiptare, si dhe të zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe Rajonin e Ballkanit, ambasadori Kule iu përgjigj edhe pyetjeve të pjesëmarrësve – shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova.

Bashkëbisedimi u zhvillua në një atmosferë mjaft të përzemërt dhe vëllazërore.

Takimi u mbajt në një prej mjediseve të Pallatit të famshëm Finlanda, ku në vitin 1975 u nënshkrua Marrëveshja e Sigurimit Evropian, të cilën Shqipëria e firmosi në vitin 1991, shkruan ATSH.

Që nga ajo kohë në Pallatin Finlanda janë mbajtur me dhjetëra mbledhje, konferenca dhe takime kulturore, sociale, ekonomike dhe politike finlandeze, evropiane dhe botërore.