Bejta me banorët e lagjes Dutllëk: Përkrahje për Gostivarin e nesërm




Lagja Dutllëk njihet si lagje me rrugë të asfaltuara në mandatin e parë dhe të dytë të Kryetarit të Komunës së Gostivarit, z. Nevzat Bejta. Për këtë arsye, në cilësinë e kandidatit për Kryetar Komune, banorët e lagjes mirëpritën Bejtën në aktivitetet parazgjedhore.

“Ndodhemi në lagjen Dutllëk afër rrugës dhe urës së re. Pikërisht banorët e kësaj lagje janë përfituesit më të mëdhenj të këtij investimi kapital për Gostivarin, sepse, mundësoi qarkullimin e lirë të banorëve të lagjes në pjesën tjetër të qytetit. Nxënësit e lagjes tani e kanë më të lehtë vajtje – ardhjen për tek shkolla fillore “Mustafa Kemal Ataturk”, po ashtu një shkollë e rinovuar plotësisht dhe që llogaritet si një nga shkollat më të mira të qytetit. Në këtë shkollë ndërtohet Salla Sportive. Kemi dy stadiumet e qytetit ku kemi investuar shumë dhe që këtë lagje e bëjnë lagje elitare të qytetit. Investuam edhe në riasfaltimin e rrugës kryesore të lagjes Dutllëk”, tha Kryetari Bejta, duke shtuar që në mandatin e ri janë paraparë për realizim edhe shumë projekte të tjera për këtë lagje.

Ndër projektet e parapara është ndërtimi i urës së katërt mbi lumin Vardar sipas planit gjeneral urbanistik të qytetit, dhe që lidhet direkt me këtë lagje. Bejta përmendi dhe riasfaltimin e rrugës nga qendra e Banjicës së Poshtme deri në lagjen Dutllëk, përfundimin e rregullimit të parqeve të qytetit, si dhe iniciativën për rregullimin dhe pastrimin e shtratit të lumit Vardar.

“Në programin parazgjedhor kemi paraparë përfundimin  e Tribunave të Stadiumit të Qytetit, si dhe rregullimi dhe modernizimi i sallës së sportit në Shkollën e Mesme Ekonomike, ndërtimin e terrenit për tenis në afërsi të stadiumit të ri të qytetit. Të gjitha këto projekte gravitojnë në këtë lagje”, tha Bejta.

Deri tani, tha Kryetari Bejta, kemi punuar për të përmirësuar Gostivarin e sotëm. “Së bashku, ia kemi dalë. Tani, mbi këto themele, do të ndërtojmë Gostivarin e nesërm, prandaj, kërkon përkrahjen tuaj për realizimin e programit për Gostivarin që duam”, përfundoi Bejta.  Banorët e lagjes u shprehen falënderues për kujdesin e treguar nga ana e Kryetarit Bejta.

 




Be the first to comment

Leave a Reply