BDI kërkon të rritet numri i testimeve për Kovid-19




BDI po kërkon rritje të numrit të testeve për Covid-19. Zëvendëskryeministri Bujar Osmani tha se ata do të kërkojnë nga 500 deri në 750 teste brenda një dite, përcjell FLAKA.

“Sepse ne besojmë se vetëm në këtë mënyrë do t’i zbulojmë dhe izolojmë në kohë ata që mund të infektohen në kushte kur të hiqet ora policore dhe të hapen bizneset”, tha Osmani.

Sot, Instituti i Shëndetit Publik ka regjistruar 16 pacientë të rikuperuar, 17 raste të reja dhe dy pacientë të vdekur nga Covid-19.

Në 24 orët e kaluara janë realizuar 460 teste, dhe 17 raste të reja të Covid-19 janë konfirmuar në: Shkup-3, Kumanovë-2, Prilep-3, Tetovë-6, Veles-2, Manastir-1. Deri më tani, janë kryer gjithsej 20.548 teste në vendin tonë për Covid 19. FLAKA