Basha: Në opozitë derisa të na votojnë shqiptarët, jo përfshirje në qeverisje




Mbledhjen e parë të grupit të ri parlamentar, kryetari i PD, Lulzim Basha e nisi me një mesazh të qartë dhe të prerë. Forca politike që ai drejton nuk do të jetë e përfshirë në qeverisje dhe nuk do të ketë ndarje pushtetesh.

Basha tha se do të jetë në opozitë derisa shqiptarët ta votojnë për të qeverisur vendin.

Basha: Dua ta filloj me një mesazh të qartë, qëndrimi ynë është i qartë:  Ne jemi opozita dhe do të bëjmë opozitën deri kur shqiptarët të na besojnë me votën drejtimin e vendit. Nuk mund të ketë e nuk do të ketë asnjë ndarje pushteti dhe asnjëlloj përfshirje të PD në qeverisje në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast. Opozita ka një rol të madh në çdo shoqëri demokratike dhe një opozitë e fortë është më shumë se kurrë një domosdoshmëri e madhe për vendin. 

Basha renditi tre sfidat kryesore të PD në keto 4 vite opozitë, ndërsa tha se do jetë  jo vetëm alternativë politike, por edhe alternativa morale.

Basha:  Qëllimi i vetëm i yni është ta përmbushim me përkushtim dhe dinjitet këtë mision në interes të njerëzve, në interes të vendit tonë. Kjo është një kohë kritike për Shqipërinë. Do të përcaktohet nëse Shqipëria do t’i rikthehet integrimit europian, demokracisë dhe shtetit ligjor, apo do të zhytet në krimin e organizuar në bashkëpunim me elitën e korruptuar të vendit. Ne kemi tre sfida të rëndësishme. Na takon ne PD dhe deputetëve të saj që të bëhemi pengesë që vendi mos reshqasë në kaosin e autokracisë dhe kriminalitetit. Droga, krimi, korrupsioni po e vdesin çdo mundësi për zhvillim në Shqipëri dhe po izolojnë vendin. Na takon ne të ndryshojmë politiken dhe t’i ofrojmë shqiptarëve alternativën e lirisë dhe demokracisë dhe do të reformojmë dhe modernizojmë PD që do t’i paraprijë reformimit të sistemit politik që do fillojë nga sistemi zgjedhor. Na takon ne që të jemi jo vetëm alternativë politike, por edhe alternativa morale.

Kryedemokrati tha se PD do të propozojë zgjidhje ligjore dhe politike në interes të publikut, ndërsa u shpreh se do të të luftojmë kundër drogës dhe krimit.

Basha: Ne do të propozojmë zgjidhjet tona politike dhe ligjore  në interes të publikut. Do të informojmë dhe sqarojmë njerëzit mbi problemet reale të vendit. Do të denoncojmë kundër keqqeverisjes dhe korrupsionit, ne do të luftojmë kundër drogës dhe krimit. Mbi të gjitha ne do të jemi alternativa e njerëzve, pranë njerëzve dhe me njerëzit. Shqipëtarët janë më të braktisur se kurrë nga elita politike e vendit. Ne duhet jo vetëm ti kthejmë ata në qendër të politikës, por edhe të ngjallim shpresën dhe besimin e tyre te politika si një instrument ndryshimi.

Kreu i PD paralajmëroi deputetët e rinj të kësaj force politike se i pret një punë jo e lehtë.

Basha: Opozita jonë nuk do të jetë e lehtë. Sistemi ynë politik nuk i jep opozitës asnjë pushtet real, ndërkohë qeveria kontrollon të gjitha instrumentat. Madje kontrollon edhe pushtetet jo politike që janë të rëndësishme për funksionimin e demokracisë, sic janë mediat dhe shoqëria civile. Deputetëve të rinj dua t’i uroj një fillim të mbarë të misionit politik në shërbim të njerëzve: Mirësevini në botën e ashpër të politikës shqiptare. Do tju fyejnë, sulmojnë, do tju vënë në dyshim, por ju duhet të ruani dinjitetin dhe durimin dhe mos ndalni së shërbyeri njerëzve dhe së luftuari për të drejtat e tyre. Puna juaj do të shpërblehet me mirënjohjen e njerëzve.




Be the first to comment

Leave a Reply