Ali Ahmeti po këshillohet me ekspertë e institucione për kandidatin për kryeministër shqiptar




Pasi u kërkoi partive politike shqiptare dhe komuniteteve joshqiptare të Maqedonisë së Veriut për t’u bashkuar me idenë për kryeministër shqiptar, Bashkimi Demokratik për Integrim sot kërkoi nga bota akademike dhe shoqëria civile emërimin e një kandidati konsensual shqiptar për kryeministër.

Kandidatja integriste për deputete në zonën 6, Fisnike Bekteshi-Shaqiri, nga selia e partisë në Shkup tha se përmes kësaj thirrjeje BDI dëshiron që “seriozisht të përfshijnë shoqërinë civile shqiptare dhe botën tonë akademike në përzgjedhjen e një kandidati konesnsual”.

“Për këtë arsye BDI dhe lideri Ali Ahmeti ka kontaktuar institucionet shqiptare, universitetet, organizatat joqeveritare, përfaqësuesit e ekonomisë dhe përfaqësuesit e tjerë të shoqërisë civile në mënyrë që të këshillohet me ta në lidhje me kandidatin e mundshëm dhe kërkesat e tyre për profilin e një kandidati” tha Bekteshi.

Ajo shtoi se partia e saj nuk morri rrugën e përzgjedhjes së një kandidati për kryeministër prapa dyerve të mbyllura të kryesisë, por vendosi që bashkë me akademikë, ekspertë e shoqëri civile të gjejnë një kandidat ideal.

“Teksa e synojmë një kryeministër konsensual shqiptar, me kënaqësi kemi ftuar akedemikët, rektorët, profesorët, organizatat shqiptare jo vetëm që ta mbështesin kauzën por të diskutojnë dhe të biem dakord për kandidatin ideal për këtë pozicion që është pozicioni më i rëndësishëm i shtetit” tha ajo.

Bekteshi-Shaqiri tha ideja e BDI-së për kryeministër shqiptar është më e madhe se çdo parti dhe individ. E quajti kauzë kombëtare. Sipas saj një kryeministër shqiptar do të ishte kryeministër për të gjithë e jo përfaqësues i vetëm një ideologjie politike. Me këtë hap, shtoi ajo, do të lihej prapa epoka e vjetër dhe do të vinte një epokë e re ku nevojat e qytetarëve janë mbi interesat partiake.