Aleanca i reagon BDI-së në Gostivar




Aleanca për shqiptarët dhe funksionarët e saj nuk njihen të jenë njerëz të fjalëve boshe e aq më pak njerëz të shpërndarjes së mashtrimeve në opinionin publik. Për Aleancën në radhë të parë është qytetari dhe mirëqenia e tij.

Në këtë drejtim z. Arben Taravari jo vetëm gjatë karrierës së tij politike por edhe gjatë tërë jetës së tij ka dëshmuar se është mbi të gjitha njeri, është person i cili njihet që të ju ketë dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve që i janë drejtuar, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike dhe fetare.

Edhe pse aspak nuk dëshirojmë të polemizojmë me mediat (portalet) dhe shkrimet e tyre absurde që nga larg vërehen të jenë të porositura nga “shefat” e tyre politik të cilët përpos mashtrimit dhe përvetësimit të pasurive publike nuk kanë arritur për këto dhjetëra vite të fundit që të farkojnë as edhe vetëm një gozhdë në ndonjë objekt vital publik.

Sa për informatë të “ekspertëve” të redaksisë suaj, sot është data 28 shtator dhe siç potenconi që këta “ekspertë” pa emra dhe mbiemra të kenë deklaruar për ju se aplikimi për buxhetim të projekteve fillon më 1 shtator. Ju citojmë: “Shfrytëzuesit buxhetor, propozimin e kërkesave buxhetore e dorëzojnë në Ministrinë e Financave më së voni deri në 1 shtator nga viti rrjedhës”.

Për dallim nga ministrat gjumashë porositës të teksteve shpifëse të portaleve në pronësi të tyre, z. Taravari e ka bërë propozimin për investim prej 11 milionë eurosh për rikonstruktimin e spitalit të Gostivarit (me projekt ideor, financiar, skicë dhe pamje 3D) për të cilin ka marrë dhe pajtimin e Ministrit të financave dhe ky realitet i hidhur për “ministrat e suksesshëm” të shkrimit tuaj, ndërsa i mirëpritur për banorët e Gostivarit, do të jetë pjesë e propozim buxhetit për vitin 2018.

Ne ju kuptojmë shumë mirë sepse ju nuk jeni mësuar ndryshe, nuk jeni mësuar që ministrat të bëjnë pak bujë dhe shumë punë konkrete.

Arben Taravari dhe Aleanca për shqiptarët janë ndryshe, kanë dijen dhe guximin që e kanë vënë në shërbim të popullit të tyre. Ne dimë t’ua falim injorancën dhe tendencat denigruese të gjithë atyre që nuk janë mësuar ndryshe.

Sa i përket rikonstruktimit të çatisë që aq me ngulm dëshironi ta shisni si sukses i ministrave të BDI-së, na lejoni tu japim dhe një leksion matematikor: Ky vendim për “Rekonstruim të Çatisë së Spitalit të Gostivarit, mjete të siguruara në vlerë prej 10 milion denarësh” është i datës 17.10.2016.

Zotërinj të nderuar sot është 28.09.2017, ju ose jetoni në një realitet alternativ që ia keni krijuar vetes ose nuk vëreni që ministrat e BDI-së kanë pasur një vit të tërë për ta realizuar këtë projekt.

Fundja, shqiptari nuk e ka zakon të nis vatrën e tij nga çatia, por e nis nga baza, shtëpisë së vetë i vendos themel, Arben Taravari nuk është “bojaxhi” që lyen qoshe para zgjedhjeve por është një “ndërtimtar” i cili i bën punët nga themeli. Pa marrë parasysh tendencat e shkrimit tuaj, siç thotë populli nga ne e keni “hallall”.




Be the first to comment

Leave a Reply