4 vjet nga konflikti i armatosur në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës




“Lagjja e Trimave” është një nga rastet më të mëdha të historisë moderne të Maqedonisë që është kualifikuar nga Gjykata Themelore e Maqedonisë si terrorizëm, ku si pasojë e së njëjtës kanë humbur jetën 8 policë dhe 37 të tjerë janë plagosur, ndërkaq nga pala tjetër që kanë luftuar me forcat policore janë vrarë 10 persona. Sot mbushen plot katër vjet nga ngjarjet e armatosura, edhe pse ka vendim gjyqësor me të cilën janë dënuar grupi i “Kumanovës”, ende nuk është e pastër e vërteta – nuk dihen porositësit, njofton Portalb.mk.

Më 2 nëntor të vitit të kaluar, dy vjet dhe pesë muaj pas ngjarjeve të 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në lagjen e Kumanovës “Lagjja e Trimave”, dhe një vit e tetë muaj pas fillimit të gjykimit më 8 shkurt të vitit 2016-të, Gjykata Themelore i ka shqiptuar vendimet e shkallës së parë kundër të akuzuarve.